Siguria në shkollë është një element thelbësor i parandalimit të dukurive negative, si brenda ashtu edhe jashtë mjediseve të shkollës. Lufta kundër dukurive të tilla, si episode të dhunës, përdorimi i drogave dhe substancave abuzive, dukuria e bulizmit, siguria fizike në shkolla etj., janë prioritet i Ministrisë së Arsimit, Rinisë dhe Sporteve dhe i Ministrisë së Brendshme.
Qëllimi i kësaj iniciative të përbashkët është garantimi i një mjedisi të nxëni të sigurt për nxënësit, stafin dhe komunitetin e shkollës. Përfshirja e oficerit të sigurisë në shkollë synon rritjen e sigurisë përmes mbështetjes dhe ndërveprimit me aktorët e shkollës.